Rreth Panairit

AgroTech Ekspo & Forum 2019 – Rreth Panairit

Projekti

Edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Agroteknikës i organizuar nga Expocity Albania, do të mbahet në datat 15-16 Mars 2019.

Ky aktivitet fton në një platformë komunikimi biznesi kombëtare dhe ndërkombëtare aktorët më të rëndësishëm në fushat e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroteknikës.

Në vijim të eksperiencës së edicionit të pare Agrotech Expo & Forum 2019 do të krijojë të gjitha kushtet optimale për kryerjen me sukses të komunikimit si nëpërmjet ekspozimeve ashtu edhe të takimeve të biznesit me qëllim prezantimi të kompanisë, produkteve edhe shërbimeve, krijimin e partneriteteve, si dhe të marrjes së informacionit të përditësuar me të rejat më të fundit nga teknologjia apo dhe zhvillimet e politikave.

Agrotech Expo & Forum 2019, falë vëmendjes ndërkombëtare, nëpërmjet aktiviteteve të organizuara, forumit dhe workshopeve do t’u ofrojë sipërmarrësve shqiptarë dhe të rajonit të Ballkanit mundësi njohjeje dhe arritjeje të tregjeve të reja, shkëmbime dhe ndarje të eksperiencave, kontakte të vlefshme, informacione dhe pse jo edhe momente reflektimi për ridimensionimin e biznesit në nivele më të larta.

Bujqësia në Shqipëri

Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit në Shqipëri. Bujqësia është burimi kryesor i punësimit dhe të të ardhurave veçanërisht në zonat rurale të vendit.Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së dhe 38,2% të punësimit total. Gjatë viteve të fundit sektori i bujqësisë ka patur një rritje të qendrueshme dhe ka dhënë një kontribut në rritje në PBB. Kërkesa në rritje për ushqim të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të prodhuar në mënyrë organike rrit nevojën për përshtatje me teknologjitë më të fundit, zgjidhje më efiçiente për transformimin e biznesit bujqësor, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe përmbushjen e të gjitha nevojave të tregut. Nga ana tjeter industria e agropërpunimit ka rezultuar si një ndër sektorët me rezultatet më të mira gjatë vitit 2018. Ky sektor ka shënuar një rritje në eksport në vlerën 18 %.

Forumi Agro-Tech 2019

Institucionet kryesore në vend, projektet kushtuar bujqësisë dhe kompanitë kryesore që shërbejnë si një histori suksesi në sektorin e bujqësisë në Shqipëri dhe jo vetëm, do të mblidhen së bashku në forumin e Agro-Tech 2019 për të trajtuar tema të rëndësishme të sektorit. Forumi do të japë mundësinë e shkëmbimit të informacionit, parashtrimin e strategjive dhe iniciativave në kuadër të zhvillimit të bujqësisë në vend, do të prezantojë hapësirat më të mira dhe mundësitë për një zhvillim të qendrueshëm në industrinë e agro-biznesit.

Shqipëria aktualisht është zyrtarisht në fazën e fillimin të zbatimit të programit të Instrumentit për Para-Anëtarësim për Zhvillimin Rural II (IPARD II) për Shqipërinë.

IPARD II u mundëson fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kenë qasje në 71 milionë Euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – të cilat do të plotësohen me 23 milionë Euro nga Qeveria Shqiptare, të disponueshme për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural duke i inkurajuar fuqimisht fermerët dhe agrobizneset të jenë proaktivë, të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga fondet IPARD II dhe të aplikojnë për mbështetje financiare.

Forumi Agro-Tech 2019 do të ofrojë mundësitë më të mira për marrjen e informacionit efektiv dhe lehtësisht të përthithshëm nga agrobizneset.