Industria Tekstile në Shqipëri dhe dinamikat gjatë dhe pas COVID-19

Expocity Albania, më datë 21 Maj 2020, organizoi webinarin me temë “Industria Tekstile në Shqipëri dhe dinamikat gjatë dhe pas COVID-19”. Duke qënë një nga sektorët me rëndësi për ekonominë shqiptare sidomos në drejtim të punësimit, situata e krijuar nga pandemia, ka influencuar jo pak mbarëvajtjen e sektorit. Zgjidhje të reja dhe alternative, ndryshim dinamikash, pritshmërite për të ardhmen, situata e industrisë tekstile në tregjet ndërkombëtare. Të gjitha këto u diskutuan në webinar nga paneli i mëposhtem:

Z. Stiven Emanuels, Administrator “SAMWEAR”
Znj. Brigitte Heuser, Konsulente SIPPO
Znj. Desarta Rapushaj, Eksperte në Marketing Kërkim Analizë, AIDA

Z. Stiven Emanuels i cili drejton një nga kompanitë prodhuese më të rëndësishme e më të medha në vend dha një pasqyrë të hollësishme të situatës së prodhimit të tekstileve gjatë pandemisë botërore COVID-19 në Shqipëri. Kompania që ai drejton, ka arritur të riformatohet në një kohë rekord duke marrë të gjitha masat e sigurisë për punonjësit e saj siç jane përdorimi i maskave dhe distanca në vendet e punës. Gjithashtu kompania ka arritur të marrë vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës. Në një kohë shumë të shkurtër janë identifikuar nevojat e klientëve dhe ka filluar prodhimi i produkteve sipas kërkesës së tyre. Z. Stiven theksoi se çdo ndryshim global ka nevojë për sipërmarrës që e marrin situatën në dorë dhe i përshtaten. Aktualisht kompania SAMWEAR prodhon 50 000 maska në ditë. Duke qënë se një pjesë e kompanive shqiptare, në kushtet e pandemisë filluan prodhimin e veshjeve mjeksore dhe maskave, një ndër pikat e ngritura për diskutim ka qënë standarti i këtyre produkteve dhe protokollet e prodhimit të tyre. Z. Stiven shpjegoi për audiencën materialet dhe protokollet e prodhimit të maskave dhe veshjeve mjeksore.

Gjatë diskutimit të tij, Z. Stiven trajtoi problemet eksportit gjatë kësaj periudhe duke identifikuar dhe mënyrat se si mund të lehtësoheshin këto probleme me ndërhyrjen e shtetit.

Në panelin e diskutimit në këtë webinar kishim gjithashtu Znj. Brigtte Heuser, eksperte në fushën e tekstileve dhe konsulente e SIPPO-s, programit zvicerian të promovimit të bizneseve me fokus zhvillimin ekonomik ndërkombëtar. Znj. Brigitte na prezantoi me situatën e industrisë tekstile në tregjet europiane. Ajo e nisi analizën e saj me parashikimin e një profesori ekonomie në Gjermani për mbylljen e përhershme të 200 000 dyqaneve të veshjeve dhe sipas ekspertes ky është pa dyshim një sinjal negativ. Derivat i kësaj është edhe rënia e tendencës së konsumatorit për të blerë. Është identifikuar një tërheqje e blerësve përkatësisht në masën 45% në Itali dhe 44% në Angli referuar produkteve të luksit dhe modës.

Sipas ekspertes, sektori i veshjeve në Gjermani do të njohi krizën më të thellë në muajin shtator të këtij viti duke qënë se do ndjehet më tepër rëndesa e pagesave të qerasë apo stokut në magazina. Shitjet në industrinë tekstile kanë pësuar një rënie prej 12.1 miliard Euro deri tani. Deri në fund të vitit pritet një rënie nga 24 deri në 36 miliard euro në turnover krahasuar me një vit më parë.
Në zinxhirin e vlerës, shitësit me pakicë përpiqen t’ja kalojnë barrën prodhuesve dhe rrjedhimisht kjo do të ketë një impakt negativ tek prodhuesit e veshjeve. Kjo do të penalizoje kryesisht prodhuesit e mëdhenj si në Bangladesh të cilët do të kenë rrezikun e krijimit të stoqeve të mëdha. Znj. Brigitte, theksoi se është shumë e rëndësishme të kemi një diversifikim të tregut.

Megjithate, pavarësisht gjithë efekteve negative të pandemisë globale në sektorin e tekstileve nuk është për t’u nënvlerësuar tendenca e kompanive evropiane për të prodhuar produktet e tyre në Evropë, larg Azisë. Ky fenomen quhet nearshoring dhe lajmi i mirë është që vendet e Ballkanit do të shihen me interes për prodhimin e veshjeve nga kompanitë në Evropë. Në këtë kohe ku e ardhmja nuk është dhe aq e sigurtë, çelësi i suksesit duhet te jete fleksibiliteti i kompanive dhe adaptimi me ndryshimet që do të ndodhin në zinxhirin e vlerës ku kërkesat nga kompani të mëdha mund të jenë në sasi më të vogla por me varietet më të lartë.

Gjatë analizës së saj Znj. Brigitte, trajtoi edhe fenomenin reshoring, kthim i prodhimit në vendin e origjinës me mbështetje nga shteti duke iu referuar kështu shteteve si Gjermania dhe Franca të cilat kishin incentivuar këtë fenomen në vendet e tyre.

Në webinar mori pjesë gjithashtu edhe Znj. Desarta Rapushaj, Eksperte pranë agjensisë AIDA. Ajo theksoi dhe njëherë rendësinë e sektorit të tekstileve në ekonominë shqiptare kryesisht në eksport. Një ndër arsyet pse kjo industri ka pësuar një krizë të thellë si pasojë e pandemisë globale është se 71% e eksporteve të këtij sektori shkon drejt Italisë. Znj. Desarta bëri një prezantim edhe të fokusit të agjensisë AIDA i cili është rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat. Gjatë pandemisë, agjensia ka bashkëpunuar me bizneset e industrisë tekstile për gjetjen e partnerëve të rinj, mënyrave më inovatore të punës dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të sektorit. Së fundmi, është punuar për të bërë vizibël shumë platforma virtuale me qëllim takimet B2B për sektorin e tekstileve. Qëllimi i këtyre takimeve është zgjerimi i partneriteteve, tregjeve të reja dhe për të ndarë ide dhe zgjidhje alternative pune në kohë pandemie.

Znj. Desarta, bëri një shpjegim edhe të paketave të mbështetjes financiare për sektorin. Paketa financiare 1 dhe 2 kanë në fokus të gjithe bizeset që jane prekur në aktivitetin e tyre nga pandemia përfshire këtu edhe kompanitë që operojnë në industrinë tekstile. Dy paketat e para janë dizenjuar për te ndihmuar ne pagat e punonjesve ndersa garancia sovrane ofron kredi per kapital qarkullues dhe mundësi investimi për të githë aktivitetet tregtare të prekura nga pandemia.

Ju ftojmë të ndiqni të plotë webinarin ne link:
https://youtu.be/I_JbInJ0gj8
[:]