Investimet në Real Estate. Si do ta ndikojë COVID-19 këtë sektor?

korrik 1, 2020

Në datë 10 Qershor 2020, Expocity Albania, organizoi webinarin me temë “Investimet në Real Estate. Si do ta ndikojë COVID-19 këtë sektor?” Gjatë këtij webinari u trajtuan tema të rëndësishme në lidhje me sjelljen e sektorit të real estate gjatë pandemisë dhe pritshmëritë për të ardhmen. A është frenuar investimi në ndërtim? Cilat janë modalitetet e tregut imobiliar në Shqipëri dhe roli i agjencive imobiliare dhe sa kanë arritur ata të pershtasin aktivitetin e tyre në kushtet e pandemisë. Gjithashtu, gjatë webinarit do të trajtohen tendencat e konsumatorit, blerësit potencial. A ka patur klientë dhe transaksione gjatë kësaj periudhe? Do ta karakterizojë pasiguria këtë sektor në të ardhmen?

Paneli i ftuar për diskutim përbëhej nga profesionistë të sektorit si:

Znj. Zhaklina Rira, Drejtoreshë e Zhvillimit të Biznesit, LIM-EM
Znj. Denada Male, Menaxhere e Brandit dhe Marketingut, Century 21
Znj. Silvia Deda, Marketing-Shitje, Kontakt shpk

Znj. Zhakina Rira, Drejtoreshë e Zhvillimit të Biznesit pranë shoqerisë LIM-EM, bëri një pasqyrë të përgjithshme të sektorit të ndërtimit në vend duke nënvizuar se edhe pse shoqëritë e ndërtimit u gjendën të papërgatitura për situatën, ato nuk e frenuan ritmin e investimeve.
Gjithashtu, Znj. Zhaklina theksoi gjatë diskutimit të saj se nuk ka patur nje rënie te kerkeses por përkundrazi, sektori është përshtatur duke kanalizuar punën drejt marketingut online.

Pasiguria ka bërë që njerezit të investojnë në pasuri të patundshme si formën më të sigurtë të investimit. Nga ana tjetër çmimet nuk janë ulur por janë ulur normat e interesave bankare që favorizojnë mundësitë e blerjes së pronave me kredi, u shpreh gjate webinarit Znj. Zhaklina.

Menaxherja e Brandit dhe Marketingut nga kompania Century 21, Znj. Denada Male u shpreh se Century 21 është përshtatur me mënyrën e re të operimit në treg në një kohë ku dita-ditës të gjithë përballeshim me situata të papreçedenta. “Marketimi nuk u stopua, transaksionet nuk ndaluan por ndryshuan forme, u aplikua vizita virtuale e pronave. Por në vendimmarjen finale për investim u kërkua edhe vizita direkt në pronë duke respektuar normat e sigurisë” – kështu u shpreh Znj. Denada.
Duke iu referuar Tiranës si tregu më i madh imobiliar në Shqipëri është konstatuar një ritëm i lartë i investimeve prej 4 vitesh dhe nuk parashikohet të ketë një frenim të këtyre investimeve duke qenë se ato lidhen drejtpërdrejt me nevojën për strehim dhe banesa të reja. Ajo qe vihet re është orientimi i kërkesave të konsumatorit drejt banesave me ambjente të jashtme dhe drejt shtëpive të pushimit në bregdet.

Panelistja tjetër e webinarit mbi sektorin e real estate ishte Znj. Silvia Deda, Marketing-Shitje, Kontakt
shpk e cila shprehet që në gjithë industrine pati një luhatje te vogël në pjesën e shitjeve ku muaji mars ishte më i vështiri si momenti i parë i përballjes me pandeminë ku edhe klientë te interesuar shfaqen frikën e pasigurisë për të ardhmen.
Por nga ana tjetër, Znj. Silvia garantoi se puna dhe ndërtimet nuk kanë ndalur në asnjë moment gjë e cila I ka dhëne siguri klientëve te interesuar për ta vazhdar investimin e tyre.
Sipas saj duhet berë një ndarje midis investimeve në shtëpi dhe njësive të sherbimit apo biznese ku e dyta pati një goditje më të madhe dhe u pezullua pjesa e shitjeve. Ashtu sikurse edhe dy panelistet e tjera, edhe perfaqësuesja e kompanisë Kontakt shpk, nënvizoi se nuk ka patur ndryshime në çmime dhe kërkesa dhe oferta vazhdojnë të jenë të njëjta.
Pyetjes se si kanë ndikuar faktorët demografikë në sektor, Znj. Silvia Deda I pergjigjet se kurba e kërkesës për shtëpi të reja do të jetë gjithnjë konstante pavarësisht ndryshimeve demorafike.

Gjithashtu Znj. Denada nga Century 21 shprehet se pavarësisht se shohim nje migrim te brendshëm drejt qyteteve më të mëdha në vend, Tiranës dhe një pjesë në Durrës, këto ndryshime nuk e luhasin kurbën e kerkesës.

Në përmbledhje, gjatë webinarit panelistet theksuan se jemi ende heret për të parashikuar pasojat e pandemisë në sektorin e Real Estate. Kjo ishte një situatë e papreçedentë globalisht dhe ka patur ndikim në çdo sektor. Situata e sektorit të ndërtimit dhe Real Estate deri tani është paraqitur optimiste dhe e qëndrueshme, aktiviteti ka vazhduar pa ndaluar dhe çmimet nuk kanë pësuar ndryshime. Analiza më të thelluara në nivel global duhet të bëhen sidomos në drejtim të ndikimit të pandemisë në papunësi dhe ekonomi në tëresi. Kështu mund të kemi një panoramë më të qartë të asaj që do të ndodhe post pandemisë.

Ju ftojmë të ndiqni të plotë webinarin ne link:
https://youtu.be/w884jNle2Vc