Energy Expo & Forum 2019

Në datat 4-5 Tetor, 2019 Expocity Albania organizon me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, edicionin e tretë të panairit dhe forumit ndërkombëtar të energjisë.
Energy Expo & Forum, në vijim të edicioneve të mëparshme, ofron dhe mbështet komunikimin dhe bashkëveprimin në fushën e energjisë dhe orienton edhe udhëheq drejt risive dhe projekteve shkencore, bashkëkohore të të ardhmes së Energjisë në tregun shqiptar, rajonal dhe më gjerë.

Në këtë edicion, Energy Expo & Forum, në arritjen e objektivave të saj, në rrugën drejt kryerjes së këtij misioni të domosdoshëm, mbështetet nga të gjitha institucionet kryesore të sektorit të energjisë si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, KESH, OST, OSHEE, ERE, Albgaz, AKBN, etj.

Energy Expo & Forum ka në fokus problematikat, sfidat, risitë, legjislacionin për të gjithë përbërësit, plotësuesit e kësaj fushe si: eficenca e përdorimit të energjisë; planifikimi miqësor ndaj mjedisit; zhvillimet klimatike; tregun dhe aktorët e tij; teknologjinë e ndërtimit në funksion të ruajtjes së energjisë; trajtimi i hidrokarbureve, investimet në naftë dhe gaz; riciklimi; informacionet për të rejat e procedurave dhe legjislacionit, bursa e energjisë etj.

Edhe në këtë edicion, energjia e rinovueshme, do të jetë temë kryesore, kjo për faktin që Shqipëria është ndër vendet ku pjesa më e madhe e energjisë prodhohet nga burimet e rinovueshme.

Përdorimi i energjisë së pastër në Shqipëri është i lartë pasi vendi mbështetet 100% te prodhimi i hidrocentraleve, ndaj është i domosdoshëm eksplorimi i mënyrave të tjera alternative për prodhimin e energjisë.

Bursa Shqiptare e Energjisë

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e datës 15 maj 2019 krijimin për herë të parë në Shqipëri të “Bursës Shqiptare të Energjisë”. ..

Bursa, si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu, do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut të ditës në avancë (day-ahead) dhe të tregut të së njëjtës ditë (intraday).

Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e tregut të energjisë elektrike, që në vetvete do të inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjitike në vend, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, integrimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu, rritjen e investimeve në sektor, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë, më shumë transparencë financiare, si dhe standarde të reja përgjegjësie juridike dhe tregtare.

Operatori i Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria “Operatori i Sistemit të Transmetimit” Sh.a.

Detajet e Eventit
  • Data e Fillimit
    4 October, 2019
  • Data e Përfundimit
    5 October, 2019
Detajet e Eventit
  • Data e Fillimit
    4 October, 2019
  • Data e Përfundimit
    5 October, 2019